| Chapter 10 |
1 | Personalisht unë, Pali, po ju këshi-lloj me anë të zemërbutësisë dhe të mirësisë së Krishtit; unë, që kur ndodhem vetë midis jush jam i përunjur, ndërsa kur jam larg jush tregohem i guximshëm ndaj jush. |
2 | Ju lutem, që, kur të vij te ju, të mos jem i detyruar të veproj me guxim me atë siguri, me të cilin mendoj të guxoj kundër disave, që na konsiderojnë sikur ecim sipas mishit. |
3 | Sepse, edhe pse ecim në mish, nuk luftojmë sipas mishit, |
4 | sepse armët e luftës sonë nuk janë prej mishi, por të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat, |
5 | që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t`ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit, |
6 | dhe jemi gati të ndëshkojmë çdo mosbindje, kur të bëhet e përkryer bindja juaj. |
7 | A i shihni gjërat sipas pamjes së jashtme? Në qoftë se dikush është i bindur në veten e tij se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetja e tij: sikurse ai është i Krishtit, ashtu edhe ne jemi të Krishtit. |
8 | Edhe, nëse unë do ta mburrja veten më tepër për autoritetin tonë, që Zoti na dha për ndërtimin tuaj dhe jo për shkatërrimin tuaj, nuk do të turpërohesha. |
9 | Nuk dua të dukem se po kërkoj t`ju tremb me letrat e mia. |
10 | Sepse dikush thotë: ``Letrat e tij janë të ashpra dhe të fuqishme, kurse paraqitja e tij trupore është e dobët, dhe fjala e tij ka pak peshë``. |
11 | Le ta dijë, pra, ai njeri, se ashtu si jemi në fjalë, me anë të letrave kur jemi larg, të tillë do të jemi edhe me vepra, kur të jemi të pranishëm. |
12 | Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend. |
13 | Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju, |
14 | Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit. |
15 | Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë, |
16 | sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë. |
17 | Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin, |
18 | sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti. |