| Chapter 11 |
1 | Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit. |
2 | Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar. |
3 | Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia. |
4 | Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij. |
5 | Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. |
6 | Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t`ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet. |
7 | Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, |
8 | sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, |
9 | edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. |
10 | Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet. |
11 | Gjithsesi në Zotin as burri s`është pa gruan, as gruaja pa burrin, |
12 | sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia. |
13 | Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t`i lutet Perëndisë pa u mbuluar? |
14 | Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të? |
15 | Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë. |
16 | Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s`kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë. |
17 | Por, duke porositur këtë, unë nuk ju lavdëroj, se ju mblidheni, jo për më të mirën, po për më të keqen. |
18 | Para së gjithash, sepse dëgjoj se kur bashkoheni në asamble ka midis jush përçarje, dhe pjesërisht e besoj. |
19 | Sepse duhet të ketë midis jush edhe grupime, që të njihen në mes tuaj ata që janë të sprovuar. |
20 | Kur mblidheni bashkë, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë darkën e Zotit, |
21 | sepse, në të ngrënët, gjithësecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur. |
22 | A nuk keni, pra, shtëpi për të ngrënë e për të pirë? Apo përbuzni kishën e Perëndisë dhe turpëroni ata që s`kanë asgjë? Çfarë t`ju them juve? T`ju lavdëroj? Për këtë nuk ju lëvdoj. |
23 | Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën |
24 | dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: ``Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim``. |
25 | Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: ``Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim``. |
26 | Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë. |
27 | Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. |
28 | Por secili të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, |
29 | sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. |
30 | Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin. |
31 | Sepse, po të shqyrtonim veten tonë, nuk do të gjykoheshim. |
32 | Por kur gjykohemi, ndreqemi nga Zoti, që të mos dënohemi bashkë me botën. |
33 | Prandaj, o vëllezërit e mi, kur mblidheni për të ngrënë, pritni njeri tjetrin. |
34 | Dhe në qoftë se dikush ka uri, le të hajë në shtëpi, që të mos mblidheni për dënim. Dhe gjërat e tjera, kur të vij, do t`i rregulloj. |