| Chapter 8 |
1 | Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton. |
2 | Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë. |
3 | Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij. |
4 | Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një. |
5 | Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër), |
6 | për ne s`ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij. |
7 | Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet. |
8 | Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s`kemi gjë më pak. |
9 | Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit. |
10 | Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt? |
11 | Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti. |
12 | Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit. |
13 | Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim. |