| Chapter 2 |
1 | Unë thashë në zemrën time: "Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen". Por ja, edhe kjo është kotësi. |
2 | Për të qeshurit kam thënë: "Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin: "Kujt i shërben?". |
3 | Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t`i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre. |
4 | Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta, |
5 | bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji; |
6 | ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët. |
7 | Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem. |
8 | Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji. |
9 | Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua. |
10 | Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. |
11 | Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t`i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell. |
12 | Atëherë u ktheva të rrah me mend diturinë, marrëzinë dhe budallallëkun. "Çfarë do të bëjë njeriu që do të zërë vendin e mbretit, në mos atë që është bërë?". |
13 | Pastaj kuptova që dituria ka një epërsi mbi budallallëkun, ashtu si drita ka një epërsi mbi errësirën. |
14 | I urti i ka sytë në kokë, kurse budallai ecën në errësirë; por kuptova gjithashtu që të dyve u është rezervuar i njëjti fat. |
15 | Kështu thashë në zemrën time: "Po ai fat që i takon budallait më takon edhe mua". Ç`përfitim ke se ke qenë më i urtë?". Prandaj thashë në zemrën time: "Edhe kjo është kotësi". |
16 | Nuk mbetet në fakt asnjë kujtim jetëgjatë si i njeriut të urtë ashtu edhe i njeriut budalla, sepse në ditët e ardhme gjithçka do të harrohet. Dhe ashtu si vdes budallai, në të njëjtën mënyrë vdes i urti. |
17 | Prandaj fillova të urrej jetën, sepse të gjitha ato që bëhen nën diell më janë bërë të neveritshme, sepse të gjitha janë kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën. |
18 | Kështu kam urryer çdo mundim që kam kryer nën diell, sepse duhet t`i lë të gjitha atij që do të vijë pas meje. |
19 | Dhe kush e di në se do të jetë i urtë ose budalla? Sidoqoftë ai do të jetë zot i gjithë punës që kam kryer me mund dhe për të cilën kam përdorur diturinë nën diell. Edhe kjo është kotësi. |
20 | Kështu arrita të dëshpërohem në zemrën time për gjithë mundin që kam bërë nën diell. |
21 | Sepse këtu ka një njeri që ka punuar me dituri, me zgjuarësi dhe me sukses, por që duhet t`ia lërë trashëgiminë e tij një tjetri, që nuk është munduar fare! Edhe kjo është një kotësi dhe një e keqe e madhe. |
22 | Çfarë i mbetet në të vërtetë njeriut për tërë mundin e tij dhe për shqetësimin e zemrës së tij, me të cilën është munduar nën diell? |
23 | Tërë ditët e tij nuk janë veçse dhembje dhe puna e tij është e rëndë. Zemra e tij nuk pushon as natën. Edhe kjo është kotësi. |
24 | Për njeriun nuk ka gjë më të mirë se sa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij; por kam vënë re se edhe kjo vjen nga dora e Perëndisë. |
25 | Kush mund të hajë ose të gëzohet më shumë se unë? |
26 | Sepse Perëndia i jep njeriut që i pëlqen dituri, njohje dhe gëzim; por mëkatarit i ngarkon detyrën të mbledhë dhe të grumbullojë, për t`ia lënë pastaj të gjitha atij që pëlqehet nga sytë e Perëndisë. Edhe kjo është kotësi dhe përpjekje për të kapur erën. |